Që prej periudhës së izolimit me synim parandalimin e përhapjes së koronavirusit në vend, tregu imobiliar është tronditur duke pësuar rënie drastike. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Ervin Demirxhiu, vlerësues i pasurive të paluajtshme, njëkohësisht broker i një prej agjencive imobiliare në kryeqytet tregon se puna në këtë sektor ka qenë pothuajse zero. Ai shton se para pandemisë kishin transaksione në një fazë të caktuar realizimi, por që mbetën pezull si pasojë e pasigurisë ekonomike që po përjetojnë njerëzit. Demirxhiu bën me dije se jo pak persona kanë lënë shtëpitë me qira, kryesisht studentët apo familjet e reja pa fëmijë, pasi e kanë parë si kosto të papërballueshme jetën në Tiranë në këtë periudhë kur dhe të ardhurat e tyre mujore kanë munguar si rezultat i mbylljes së vendeve të punës. Vlerësuesi i pasurive të paluajtshme thekson më tej se parashikohet falimentimi i disa agjencive imobiliare si pasojë e rrënimit ekonomik që po pësojnë. Ndërkohë tregu imobiliar nuk është përfshirë në paketën e parë ndihmuese nga ana e qeverisë, dhe pas kërkesave të tyre, përgjigjja nga instancat ka rezultuar negative.

Cilat janë kërkesat tuaja ndaj shtetit shqiptar në këtë periudhë?

Kërkesa jonë është të lehtësohemi sadopak që të shtyjë afatin për pagesën e sigurimeve shoqërore. Bashkia të përgjysmojë taksat vjetore, si dhe të hiqet tatimi në burim përderisa dhe qiratë janë shtyrë.

Në këtë periudhë të vështirë pandemie, si paraqitet situata për tregun imobiliar?

Situata në këtë periudhë pandemie paraqitet tepër e vështirë dhe për tregun imobiliar duke qenë se është lëkundur e gjithë ekonomia dhe pasiguria për të ardhmen është e madhe.

A ka pasur ulje të kërkesave nga ana e qytetarëve për të blerë apo marrë me qira një apartament apo shtëpi? Nëse po sa mund të përllogaritet kjo rënie?

Rënia është drastike, tregu i apartamenteve me qira është thuajse zero dhe akoma më keq niveli i shitjeve, sepse kemi pasur transaksione në fazë realizimi dhe si përfundim nuk janë realizuar. Kjo ndodhi si rezultat i pasigurisë ekonomike të krijuar, sepse bizneset po përballen me humbje të mëdha. Nuk mund të flasim për shifra, sepse janë ekspertët e shifrave që duhet ta bëjnë, por kur themi që niveli i shitjeve dhe qirave janë zero besoj se kuptohet rezultati.

Sa humbje kanë pasur subjektet imobiliare gjatë kësaj kohe?

Po siç u shpreha më lart puna është zero këtë periudhë, humbjet janë transaksionet e munguara, si dhe kostot fikse që ne kemi, qira, rroga, taksa etj.

A keni pasur raste kur qiramarrësit janë larguar pasi iu është dashur të kthehen në qytetet e tyre si pasojë e pamundësisë për të qëndruar në Tiranë?

Raste të tilla ka, janë kryesisht studentët apo familjet e reja pa fëmijë, ata e kanë parë si kosto të papërballueshme jetën në Tiranë në këtë periudhë kur dhe të ardhurat e tyre mujore kanë munguar si rezultat i mbylljes së vendeve të punës.

A është përfshirë tregu imobiliar në paketën e ndihmës financiare nga ana e qeverisë?

Në paketën e  parë, ne nuk jemi përfshirë, kemi marrë përgjigje negative. Nuk e dimë më tej çdo të bëhet në lidhje me paketën e dytë e me radhë.

Cilat janë kërkesat tuaja ndaj shtetit shqiptar në këtë periudhë?

Kërkesa jonë është të lehtësohemi sadopak që të shtyjë afatin për pagesën e sigurimeve shoqërore. Bashkia të përgjysmojë taksat vjetore, si dhe të hiqet tatimi në burim përderisa dhe qiratë janë shtyrë.

A parashikoni nëse do të ketë raste falimentimi të agjencive imobiliare në vend?

Sigurisht që do të ketë! Jo më larg se dje me kontaktoi një miku im, sepse ambientin që kishte një agjenci imobiliare e kishte ndërprerë kontratën për pamundësi likuidimi. Dhe kjo situatë nuk i dihet sa do të zgjasë me kufizime, por edhe kur të ikin kufizimet, kjo pandemi i la pasojat e saj, sepse tregu do të dojë kohë ta marri veten dhe deri atëherë do kemi shumë zyra imobiliare që do të mbyllen.

Sa të lehtë e keni të lëvizni për punën tuaj?

Faktikisht nuk e kemi të lehtë aspak, sepse puna jonë nuk është në zyre, puna jonë më e madhe është në terren për të prezantuar apo marrë prona për t’i menaxhuar në shitje-qira, si dhe inspektime pronash për procesin e rivlerësimit, i cili është aktiv momentalisht. Ne lejohemi të lëvizim në fashat e miratuara në mëngjes dhe pasdite, kjo duhet të ndryshojë patjetër, sepse ndryshe nuk ka kuptim të klasifikohemi biznese të hapur.

…opinion i marre nga GazetaShqiptare/Voltiza Duro  –