Klikoni më poshtë për videon e plotë:
Ervin Demirxhiu, rivlerësues i pasurive të paluajtshme, tha për ‘Sheshi i Dollarit’ se interesi për rivlerësimin e pronave ka qenë i lartë pas një pritjeje dyvjeçare.
Sipas tij, pritet që më shumë prona të përfshihen në proces për shkak të ndryshimeve në çmimet reale dhe ato të referencës, ndërsa aplikimet do të jenë më të shumta se më parë.
Ai shton se rivlerësimi nuk do të ndikojë në rritjen apo uljen e çmimeve në treg, ndërsa vlera e tatimit do të mbetet e negociueshme.
“Interesi ka qenë i lartë për rivlerësimin e pronave, kishim dy vite që prisnim. Do ketë shumë prona që do përfshihen sepse çmimet reale dhe të referencës kanë ndryshuar. Priten të ndryshojnë edhe çmimet e referencës për bregdetin që ato të përfshihen në këtë proces.
Aplikimet do jenë më të mëdha se herën e kaluar. Në tregun e pronave kemi një situatë interesante, kishim shitësit dhe blerësit që kishin pritshmëritë e tyre. Rivlerësimi nuk do ndikojë as në rritje as në ulje çmimi. Vlera që do merret nga tatimi do të jetë e negociueshme, njerëzit po e kuptojnë që pritshmëritë e tyre ishin të kota.”
Ervin Demirxhiu, rivlerësues i pasurive të paluajtshme, thekson se zonat elitare në kryeqytet si TEG, Liqeni i Thatë dhe Farka kanë marrë vëmendjen më të madhe për rritjen e çmimeve.
Sipas tij, rritja ka qenë e moderuar dhe nuk është ndikuar ndjeshëm nga kreditimi bankar, ndërsa zhvlerësimi i euros ka sjellë kalimin e tregut nga euro në lekë. Ai shton se interesi i të huajve, veçanërisht nga Polonia, Çekia dhe Ukraina, mbetet i lartë për shkak të çmimeve konkurruese në rajon.
“Në kryeqytet kemi disa zona që janë elitare, disa me ndërtime të ulëta 2-3 kate; zona rreth TEG, Liqeni i Thatë, i Farkës janë zona elitare. Çdo zonë ka pasur rritje, por këto kanë marrë pjesën më të madhe të vëmendjes. Nuk mendoj se ka ndikuar kreditimi i pronave nga Banka e Shqipërisë, ka qenë një situatë normale. Çmimet janë më të moderuara në rritje, edhe euro është ulur dhe ky është një perceptim që janë shumë. Zhvlerësimi i kursit e ka bërë që të kthehet vlerësimi i pronës në lekë. Të gjithë ndërtuesit tregtonin në euro, ndërsa tani ka kaluar në lekë.
Vendin e parë e zënë polakët, çekët, ukrainasit që blejnë prona në vendin tonë, por të gjithë kanë interes sepse edhe çmimet janë të favorshme sa i takon rajonit.”