Në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar për shqyrtim nisma e deputetes së PS-së, Blerina Gjylameti, për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme për individët dhe për personat juridikë.
Edhe ekspertët e tregut të pasurive të paluajtshme e shohin shumë pozitivisht këtë propozim, pasi dalin të fituara të gjitha palët.
Ervin Demirxhiu, ekspert i tregut të pasurive të paluajtshme: Realisht ky është një lajm shumë i mirë për gjithë qytetarët por edhe për ne zyrat imobilare apo ekspertët vlerësues sepse do të na lehtësojë edhe ne punën. Sigurisht që qytetarët do t’i ndihmojë jashtëzakonisht shumë edhe me barrën fiskale që do të paguajnë, nëse një qytetar shet sot një pronë paguan 15% të tatim-fitimit që llogarit fitimi i pronës shitja minus çmimin e blerjes ajo tatohet 15%, në rastin konkret nëse qytetari do të bëjë rivlerësimin e pronës do të paguajë vetëm 3% që është një ndihmë goxha e madhe në xhepat e çdo konsumatori apo çdo shitësi.
Ekspertët nënvizojnë gjithashtu se tatimi me 3% i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme ndihmon në shmangien e informalitetit në treg.
Ervin Demirxhiu, ekspert i tregut të pasurive të paluajtshme: Në moment që bëhen këto nisma sigurisht që transaksione, ka goxha para që futen në arkën e shtetit, mendoj që i shmang goxha këto mënyrat e devijimit sepse 3% e paguan çdo qytetar domethënë thotë 3% e paguaj pa asnjë lloj problemi, ndërsa kur është për 15% realisht ne shikojmë që shtrëngohen pak dhe ndoshta tërhiqen edhe nga shitjet vetëm për efekt të tatimit
Në draft propozohet që subjekt i këtij ligji të jetë edhe rivlerësimi i pasurive të paluajtshme të individëve që janë në proces legalizimi dhe regjistrimi të pasurisë, që kanë kontrata sipërmarrje dhe jetojnë në pallate ende të pa legalizuara.
Ligji për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme me tatim 3% u zbatua edhe në vitin 2020 dhe për shkak të situatës së krijuar nga pandemia afati i zbatimit të tij u shty dy herë dhe përfundoi më 31 dhjetor 2021.
@Klan News