Trendi rritës i qirave të shtëpive, eksperti imobiliar shpjegon shifrat e çmendura
“Një nga zonat më të mira”, e quan eksperti imobiliar Ervin Demirxhiu hapësirën pranë stadiumit “Selman Stermasi” në Tiranë, ku ka qëndruar studioja lëvizëse e programit “Aldo Morning Show” në Tv Klan. Një zonë, ku si shumë të tjera, çmimet e qirave janë rritur duke iu bashkuar perceptimit të përgjithshëm se jetesa në Tiranë është shumë e shtrenjtë.
Eksperti pranon se kjo është e vërtetë, ka disa vite që çmimet e apartamenteve në Tiranë rriten, por argumenton se është rezultat i kërkesës. Me gjithë largimin e të rinjve, banorët e qyteteve të tjera po zhvendosen në Tiranë duke rritur kërkesën.
Demirxhiu thotë se është e vështirë të gjesh apartamente nën 500 euro në Tiranë. Sa për zërat se ka apartamente bosh, thotë se nuk do të mbeten të tillë.
Ervin Demirxhiu: Kjo vjen si rezultat i kërkesës.
Aldo: Kush kërkon se ka një problem, nga njëra anë njerëzit po ikin, nga ana tjetër njerëzit kërkojnë. Kë të besoj?
Ervin Demirxhiu: Njerëzit po ikin, por njerëzit po vijnë të gjithë në Tiranë. Ti po të ikësh në qytete të tjera, nuk gjen më njerëz.
Aldo: Edhe në Durrës për atë punë.
Ervin Demirxhiu: E gjithë ekonomia është përqendruar në Tiranë, do, s’do do të përplasen dhe në momentin që kemi kërkesë, sigurisht që këto çmime do të kemi, të larta.
Aldo: Kush i ka favorizuar këto çmime, janë ndërtuesit, janë çmimet e referencës, janë të huajt që ka kërkesa apo ndonjë gjë tejtër?
Ervin Demirxhiu: Çmimet i favorizon kërkesa e lartë në treg, normalisht ne jemi treg i lirë dhe jemi kërkesë-ofertë. Në momentin që kemi kërkesë, çdokush do të mundohet të përfitojë, pse jo edhe ndërtuesit? Pse jo edhe personi që ka për të dhënë me qira apo për të shitur, pse mos ta japë më shtrenjtë? E logjikshme kjo pjesë.
Aldo: Vetëm se ka dhe zëra që thonë që do të ngelin bosh.
Ervin Demirxhiu: Unë mendoj që jemi shumë larg asaj pjese që të ngelin bosh. Ka zëra që janë bosh etj, por nuk ka apartamente bosh. Nëse janë ato apartamente bosh, u bëj thirrje të m’i sjellin mua se i shes të gjitha.
Aldo: Ideja është, sa e vërtetë është që në Tiranë një qira për një apartament shkon mbi 500 euro?
Ervin Demirxhiu: Kjo është shumë e vërtetë. Ne sot e kemi thuajse të pamundur të gjejmë apartamente në 400 euro dhe janë apartamente që sapo gjenden, jepen direkt, jepen nga studentët, familjet e vogla apo që kanë buxhet të limituar dhe fillojnë nga 500 euro e lart. Sigurisht që janë mjaft të larta për mundësitë ekonomike tonat, por njerëzit ia kanë dalë, sidomos kur bëhet fjalë për të rinjtë, studentët, grupohen dhe ndajnë qiranë.
Lidhur me apartamentet e boshatisura, Demirxhiu thotë se janë pjesë e investimeve. Familje apo individë që kanë mundësi financiare, kanë investuar në blerjen e një prone të dytë apo të tretë.
Ai beson se do të vijë një moment kur tregu i qirave do të stabilizohet, por jo të ulen çmimet. Ajo që duhet bërë, sipas ekspertit, është ndihma e kredive të buta duke reduktuar burokracitë dhe ulur kuotat në mënyrë që edhe pse më pak familje mund të përfitojnë një banesë përmes tyre, të arrijnë që të jetë një realitet i prekshëm.
/tvklan.al
