Demirxhiu: S’do ketë fluskë në ndërtim. Ndërtuesit në të ardhmen do përqendrohen te cilësia
Ervin Demirxhiu, ekspert i pasurive të patundshme, duke folur në “Mcn Economy” tha që rritja e çmimit të pronave në Shqipëri gjatë këtij viti mund të ketë qenë 10-15 për qind, por jo në vlerat 42 për qind.
Sipas Demirxhiut ndërtuesit në të ardhmen do të përqendrohen te cilësia dhe jo te sasia, sikurse ka ndodhur deri më sot. Demirxhiu nuk mendon se ka stok apartamentesh, duke përjashtuar ato që janë në pronësi të emigrantëve, dhe po ashtu nuk beson se do kemi një fluskë në ndërtim.
“Nëse do kishim rënie të kërkesës s’do reflektohej me rritjen e çmimeve. Mund të jenë zona të caktuara, por s’mendoj se kemi patur këtë lloj rritje (42 për qind). Mund të kemi patur rritje 10-15 për qind, por jo në këto vlera. Duhet të shohim nga kanë dalë ato vlera. Kërkesat janë në të njëjtin ritëm si vjet, edhe këtë vit. Edhe oferta është e njëjtë në treg. Apartamentet stok janë të emigrantëve që nuk vihen në efiçencë, por s’besoj se janë në treg për shitje. Durrësi dhe Shëngjini janë dy vendet ku ka kërkesë për blerjen e apartamenteve. Një pjesë e mirë e lejeve po zhvillohet. Po shohim që Tirana e gjitha po ndërtohet. Por edhe ato do fillojnë do reduktohen dhe do kalojnë te pjesa e ndërtimeve elitare. Ndoshta do ngopet tregu dhe do fillojnë të kërkojnë cilësinë, nëse deri më sot kemi kërkuar sasinë. Edhe ndërtuesit do fillojnë të mendohen më mirë kur ndërtojnë, të kenë një cilësi më të lartë. Nuk mendoj se rrezikohet tregu nga ndonjë fluskë. Kushdo që ndërton i ka bërë disa llogari. Vet tregu do stabilizohet. S’do jepen më aq shumë leje, s’do ndërtohet aq shumë”.