Klikoni më poshtë për videon e plotë:

Në pjesën e dytë të emisionit Pro Business në Tv Klan, ndërmjetësuesi i pasurive të paluajtshme, Ervin Demirxhiu, tha se interesi i të huajve për të blerë prona në Shqipëri vijon të mbetet i pranishëm, edhe pse nuk është më në të njëjtin ritëm rritës si vitin e kaluar, pasi rritja e çmimeve ka sjellë një stabilizim të kërkesës, por Shqipëria mbetet ende konkurruese në rajon, veçanërisht në bregdet, ku sipas pozicionit dhe zonës mund të jetë deri në 30-40 për qind më e lirë se Mal i Zi apo Greqia.
Sipas tij, blerësit e huaj vijnë kryesisht nga vendet nordike, polakët kanë një prani të fuqishme në tregun shqiptar dhe kanë hapur zyra ndërmjetësimi për klientët e tyre, ndërsa gjermanët dhe italianët mbeten gjithashtu kategori të rëndësishme, me të moshuarit që preferojnë bregdetin për të jetuar me pensionet e tyre, ndërsa Tirana dhe zona bregdetare, veçanërisht Gjiri i Lalësit, Durrësi, Vlora e Saranda, janë ndër zonat më të kërkuara.
Turizmi në rritje ka ndikuar pozitivisht në tregun e pasurive të paluajtshme, por ka sjellë edhe rritjen e çmimeve, duke e kthyer blerjen e pronave në bregdet në një “mollë të ndaluar” për shumë qytetarë vendas, ndërsa kostot e ndërtimit, materialet më cilësore dhe mungesa e fuqisë punëtore kanë rritur më tej çmimin final.
Turqit, sipas Demirxhiut, janë më të fokusuar te qiratë sesa te blerjet, ndërsa për të huajt nuk ka asnjë pengesë ligjore për të blerë pronë në Shqipëri, pasi kanë të njëjtat mundësi si shtetasit shqiptarë. Ai e lidhi ngecjen e perceptuar të tregut me procesin e rivlerësimit të pronave, i cili për dy vite drejtoi fokusin dhe paratë drejt ndërtimeve të reja, ndërsa tani tregu ofron më shumë prona për rishitje, kolateral dhe kreditim, duke e konsideruar momentin aktual të përshtatshëm për blerje, pavarësisht se çmimet nuk priten të ulen.
Një faktor tjetër që ndikon në treg është luhatja e valutës, pasi çmimet në euro janë konvertuar në lekë një me një, duke rritur në një farë mënyre çmimin dhe duke krijuar një lloj ngërçi në treg.