Klikoni më poshtë për videon e plotë:

Eksperti i pasurive të paluajtshme Ervin Demirxhiu për procesin e rivlerësimit të pronave që nis nga 1 janari, deklaroi se është përfitim për çdokënd që ka një pronë dhe të ardhmen do e shesë.

Nga studio e “MCN Economy” ai deklaroi se nëse nuk ka dalë fatura e pagesës brenda 31 dhjetorit, qytetarët mund të rrinë të qetë pasi kanë afat ta paguajnë deri në 31 mars.

Sipas tij, nëse aktualisht tarifa e shitjes që i paguhet shtetit është 15%, me rivlerësimin kjo tarifë bëhet 5%.

Nga ana tjetër ai shtoi se do të përfitojnë edhe blerësit me kredi të cilët deri më sot e kanë të pamundur të blejnë një pronë me kredi.

Qeveria nuk ka prioritet xhepin e qytetarit. Po të ishte prioritet xhepi i qytetarit, nuk do bënim çdo 2-3 vite rivlerësime. Idealja është që të mos ketë rivlerësime, por rishikim të tatimit 15%. Nëse qeveria do e ulë nga 15% në 7-8%, jam i sigurt se do mbledhë më shumë para nga sot. Rivlerësimi bëhet bazuar nga rrethanat se një pjesë e mirë e pronave që nuk shiten dot, nuk i shesin dot se kanë goxha tatim.

Jam i sigurt që në këtë fushatë do mblidhen më shumë se 138 milionë, se edhe tregu vetë ka lëvizur goxha. Ka shumë kërkesë për të bërë rivlerësimin. Rivlerësimin propozoj që ta bëjnë të gjithë, çdokush që e ka mundësinë financiare. Është para që hedh, por hedh shumë më pak se normalja. Sidomos ata që duan ta shesin. Procesi i rivlerësimit në tregun imobiliar do ndikojë pozitivisht, pasi gjatë kësaj periudhe iu është dhënë prioritet vetëm pronave të reja.

Do përfitojnë shumë edhe blerësit me kredi se deri më sot e kanë të pamundur. Blerësi me kredi përfiton se do gjejë një pronë që do e blejë me kredi, pasi dikush që blen ndërtim të ri, nuk të jep mundësi për kreditim. Prej gjashtë muajsh është bllokuar procesi i shitjes, shiten vetëm pronat e reja. Sot kemi amortizim maksimalisht deri 30%.

Amortizimi llogaritet për çdo vit vjetërsi të banesës 1%, por pavarësisht vjetërsisë maksimumi është 30%. Nëse në një zonë X vlera minimale fiskale e pronës është 1000 euro, që do të thotë edhe nëse e shet nën 1000 euro, do paguash për 1000 euro tatim.