Bregdeti shqiptar po tërheq të huajt jo vetëm për pushime por edhe për investime. Pjesa më e madhe e pronave të shitura në gjashtëmujorin e parë të vitit ishin në bregdet, dhe blerësit ishin kryesisht nga vendet e Lindjes, dhe Italia. Për shkak të interesit të shtuar, një pronë në Durrës, Vlorë e Sarandë është shitur 2 herë më shpejt se në Tiranë.
Jo vetëm për pushime, për të vizituar detin e malet, kalatë apo muzetë, por të huajt po vijnë në Shqipëri gjithnjë e më shumë për të investuar.
“Blejnë për investim për t’i rishitur, për t’i dhënë me qira, preferojnë bregdetin se është i larmishëm, preferojnë edhe qendrën e Tiranës”, thotë eksperti i tregut imobiliare Ervin Demirxhiu.
Një apartament në Durrës, Vlorë ose Sarandë po shitet dy herë më shpejt se një pronë në Tiranë, për shkak të kërkesës në rritje sidomos nga turistët e huaja për të pasur një banesë edhe në Shqipëri.
Kohët e fundit janë shtuar edhe më shumë të huajit që blejnë sepse e shikojnë një treg me perspektivë, treg në rritje”, thotë eksperti.
Banka e Shqipërisë thotë se një pronë në bregdet shitet mesatarisht për 5.9 muaj që është koha më e shkurtër e dekadës së fundit. Ndërsa në Tiranë, duhen 9.7 muaj, duke u rritur krahasuar me fundin e vitit të kaluar.
“Vijnë nga të gjitha shtetet, kryesisht nga vendet e lindjes që s’kanë dhe det, nordikët por shumë edhe gjermanët e italianët. Në rastin e italianëve vijnë pensionistët që blejnë kryesisht në bregdet”, tha Demirxhiu.
Pavarësisht ecurisë pozitive në bregdet, numri i pronave të shitura është ulur. Banka qendrore thotë se në këtë gjashtëmujor vetëm 39% e agjentëve të pyetur kishin arritur të bënin shitje, nga 46% që ishte në vitin e kaluar.
“U tha që do të niste në qershor rivlerësimi dhe ende s’ka nisur. Të gjitha zyrat e kanë ndaluar shitjen, ne po marrim vetëm kapar rezervimi, në mënyrë që të përfitojmë nga tatimi i rivlerësimit”, tha ai.
Ndikim në stokun e banesave bosh apo të pa shitura kanë dhënë edhe çmimet e larta, të cilat nuk do të ndalojnë këtu. Shtrenjtimi do të vazhdojë.
“Ulje çmimesh nuk do të ketë. Ato do të rriten pasi ka shumë kërkesë për prona”, tha eksperti.
Si rezultat i çmimeve të larta, shumica e apartamenteve shiten duke negociuar. Vetëm 36% e apartamenteve janë shitur me të njëjtën vlerë që kanë dalë në treg, 41% pësuan ulje nga 5 deri në 20%, ndjekur nga 18% e pronave të shitura me çmim të ulur me 5%, dhe pjesa tjetër prej 5% ishin me ulje çmimi nga 20% e lartë.
Per me teper ndqini videon me poshte
copyright/G.M.//ReportTv.al