Klikoni më poshtë për videon e plotë:

Dy muaj pas nisjes së procesit të rivlerësimit të pasurive të paluajtshme, Qeveria rezulton përfituesja kryesore, duke arkëtuar mbi 30 milionë euro nga pagesat e qytetarëve. Ndërkohë, mbetet për t’u parë se sa do të reflektohet ky proces në përfitime konkrete për pronarët, bizneset dhe ekonominë në tërësi.
Të ftuar në emisionin “MCN Economy”, ekspertët e tregut të pasurive të paluajtshme, Ervin Demirxhiu dhe Fisnik Haçkaj, vlerësuan se interesi për rivlerësimin ka qenë i lartë, pas një periudhe dyvjeçare pritjeje.
Sipas Demirxhiut, tregu i pasurive kishte mbetur në vend për një kohë të gjatë dhe procesi i rivlerësimit ka nxitur lëvizje në shitje.
Ka pasur interes të lartë për procesin, pasi kishim dy vite që prisnim. Tregu i pasurive të paluajtshme, sidomos në pesë vitet e fundit, ka pësuar rritje të ndjeshme dhe norma 5% ishte e pritshme, duke parë diferencën mes çmimeve të mëparshme dhe atyre aktuale.
Ai theksoi se qytetarët duhet ta shohin rivlerësimin si një investim afatgjatë.
Nëse sot paguan 5%, pas një viti mund të paguash 15%. Për një pronë me vlerë 100 mijë euro, diferenca mund të arrijë në 15 mijë euro nëse nuk rivlerësohet.
Megjithatë, ai ngriti shqetësime për problematika në proces.
Institucionet reagojnë shpejt, por shpesh me gabime. Ka raste kur fatura del brenda ditës, por me pasaktësi,” shtoi ai, duke rekomanduar që qytetarët të mos e kryejnë vetë procesin. “Qytetarët nuk duhet ta bëjnë vetë llogaritjen e rivlerësimit, pasi mund të gabojnë. Është më mirë t’u drejtohen ekspertëve ose noterëve.
Nga ana tjetër, Fisnik Haçkaj e konsideroi normën 5% relativisht të lartë krahasuar me skemat e mëparshme, çka sipas tij ka ndikuar që një pjesë e qytetarëve të tërhiqen.
Ka pasur interes, por norma 5% është më e lartë se rivlerësimet e kaluara, që kanë qenë 1-3%. Kjo ka bërë që disa shitës të hezitojnë.
Sipas Haçkajt, megjithatë, procesi mbetet i favorshëm në plan afatgjatë.
Më mirë të paguash sot 5% sesa pas një viti 15%. Aktualisht jemi në një moment të mirë për shitësit, pasi çmimet e pronave janë në rritje.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e asistencës profesionale gjatë aplikimit.
Ne sugjerojmë që qytetarët të mos aplikojnë vetë në e-Albania, pasi shpesh hasen problematika. Është më e sigurt të drejtohen te ekspertët.
Ekspertët vunë në dukje se zonat bregdetare po dominojnë aktualisht tregun, duke lënë pas edhe Tiranën për nga numri i transaksioneve. Ndërkohë, një pjesë e madhe e aplikimeve të deritanishme konsiderohet si akumulim i kërkesave të mbartura nga dy vitet e fundit.