Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme, do të shtojë numrin e pronave që do të dalin në treg për tu shitur. Ekspertët thonë se përfituesit më të mëdhenj të këtij procesi janë ata që kanë prona lukseve, pasi marrin uljen më të madhe të tatimit. Ndërkohë kërkesa e madhe për shtëpi, dhe shtimi i blerjeve nga të huajt, do shtrenjtojnë më tej apartamentet.
Vilat luksoze, apartamentet dubleks, apo bizneset mëdha etj… do të përfitojnë më shumë nga rivlerësimi i pasurive, pasi ju ulet automatikisht vlera e lartë e tatimit që do të paguajnë nëse shiten.

“Ky proces do të ndihmojë shumë pronat me vlera të larta dhe që kanë një vlerë të lartë edhe tatimi. Ne kemi pasur shumë pronarë që vijnë tek ne dhe kur i bëjmë një analizë taksash ata kthehen dhe nuk e shesin. Me rivlerësimin do i ndihmojë të hidhen në treg. Të gjithë do të përfitojnë por lehtësimi më i madh do të jetë tek ata që e kanë edhe barrën më të madhe, që kanë pronat e luksit”, pohon Demirxhiu.

Nëse një vilë me vlerë fillestare 400 mijë euro, shitet 500 mijë euro për diferencën prej 100 mijë euro, nuk paguhet më 15% tatim ose 15 mijë euro por vetëm 3 mijë euro. Vlerësuesi i pasurive Ervin Demirxhiu thotë se pas kësaj fushate rivlerësimi më shumë prona do të hidhen në treg për tu shitur.