Në fillim të këtij viti Ministri i Financave, Ervin Mete deklaroi se çmimet e referencës se pronave do të amortizohen me 1% në vit në varësi të moshës së ndërtesës. Sipas ekspertëve miratimi i këtij udhëzimi do ndikojë pozitivisht në shitblerjen e pronave për të gjitha palët.
“Sot ne kemi objekte që janë shumë të vjetra që taksohen si një pronë e re dhe kjo realisht do ndihmonte shumë shitësit që të vihen në efiçencë, të shiten dhe t’ju ndrohet destinacioni etj. Taksat që ata paguajnë është shumë e rëndë dhe i bëjnë të stepen për të marrë një hap për të ndryshuar destinacionin e asaj prone. Fillimisht do të ndihmohet shitësi që të marri një hap që të bëjë një veprim tjetër për ta shitur atë pronë sigurisht edhe blerësin, por edhe ne ndërmjetësuesit na ndihmon.”
Rishikim të çmimeve të referencës pritet të ketë edhe në bregdet, në bazë të zonave të caktuara. Ekspertët japin disa shembuj sa i përket çmimeve reale që duhet të jenë edhe në këto zona.
“Jo e gjithë zona e Golemit ka të njejtën vlerë reale shitje. Nuk mund të jetë kurrësesi një pronë në kodër e barazvlershme më një pronë që është në vijë të parë. Edhe pallati nga pallati ka diferenca. Edhe në të njëjtin pallat, nuk është e njëjtë vlera e një prone që shikon nga deti me një pronë që nuk shikon nga deti dhe këtu është dallimi.”
Udhëzimi i ri për taksimin e kalimit të pronësisë pritet të jetë funksional deri në 2026, pasi aktualisht është ende në fazë diskutimesh nga institucionet përkatëse dhe ekspertet e fushës së pasurive të paluajtshme.
Klan News