Në 2021 duhet të kishe 9% më shumë para se në 2020 që të blije një shtëpi, pasi çmimet po rriten nga viti në vit. Ekspertët e ekonomisë dhe të tregut të pasurive të paluajtshme si faktorët kryesor që kanë sjellë këtë shtrenjtim identifikojnë pastrimin e parave dhe kostot e rritura të materialeve të ndërtimit.

Rritja e çmimit të apartamenteve me afro 9 për qind në rang vendi, për ekspertin Zef Preçi nuk reflekton luhatjet e tregut, por vjen si pasojë e pastrimit të parave. Një metër katror në periferi të Tiranës arrin 1000 euro, ndërsa në zonat pranë qendrës deri mbi 2500 euro, çka sipas Preçit nuk reflekton kërkesë-ofertën por nevojën për formalizimin e parasë të pisët.

Ndërtimi ishte sektori i preferuar për të pastruar paratë në 2021, sipas një raporti të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, ku rastet më të shumta të identifikuara ishin në këtë treg. Ndërsa agjencitë imobiliare, shkakun e shtrenjtimit e shohin tek kostot e rritura të materialeve të ndërtimit.

“Ne si treg imobiliar u bë vite që po përballemi me rritje të çmimeve, por ky vit ka pasur çmime akoma më të rritura, i ndikuar direkt nga kostot e ndërtimit dhe detyrimisht do të reflektohet edhe tek çmimi i pronës. Në moment që shtrenjtohen apartamentet e reja, të rriten edhe të tjerat, pasi në moment që nuk blen dot një apartament me çmim 2000 euro metri katror, do të shkosh tek ato që janë më lirë dhe duke u rritur kërkesa rritet dhe çmimi i tyre”, thotë Ervin Demirxhiu.

Sipas Bankës së Shqipërisë çmimet e apartamenteve në vitin e kaluar u rritën me 9% në raport me 2020, dhe vetëm në Tiranë rritja ishte 12.3%.

interviste e dhene per Shqiptarja.com :https://www.youtube.com/watch?v=5kxq7PsvNBE
@ SI.E./r.k./Shqiptarja.com .