Në qarkun e Tiranës për periudhën 2011-2016 janë ndërtuar 707 ndërtesa të reja me një sipërfaqe 3.048.000 m2, nga të cilat rreth 78% kanë qenë ndërtesa për banim. Amortizimi i banesave dhe lëvizja nga fshati në qytet ka sjellë edhe rritjen e kërkesës për shtëpi me qira në kryeqytet. Me rritjen e çmimeve është ndikuar edhe tregu i pronave, ku banesat me qira dhe ato në shitje kanë një vlerë të shtuar. Vlerësuesi i pasurive të paluajtshme dhe eskperti i pronave, Ervin Demirxhiu, deklaroi për “Radio Ejani”, se Tirana do të jetë në krye të vendeve me çmimet më të larta në rajon.

“Çmimet e shitjes së pronave, apartamenteve apo shtëpive private vitet e fundit në Tiranë kanë pasur një trend rritës. Kjo ka ardhur si pasojë e kërkesave të shumta, duke qenë se thuajse e gjithë ekonomia shqiptare është përqëndruar në Tiranë. Këto çmime sot janë të papërballueshme për një familje me të ardhura mbi mesatare. Ato me të ardhura nën mesatare e kanë të pamundur qoftë me para në dorë apo me kredi”, -tha Demirxhiu.

Sipas Institutit të Statistikave (INSTAT), në qytetin e Tiranës rreth 17.5% e ndërtesave të reja janë ndërtuar për qëllime banimi në harkun kohor 2001-2011. Ndërtimet për qëllime banimi janë përqëndruar në nivele të ndryshme në ish-komuna, të cilat me reformën administrative territoriale janë bërë pjesë e Bashkisë Tiranë. Në Tiranë ndodhet numri më i madh i apartamenteve të banimit me rreth 12% e ndërtesave të banimit, në Farkë rreth 9.8%, në Kashar rreth 8.2% dhe në Dajt rreth 5.3%. Sipas Demirxhiut, ka shumë arsye që kanë ndikuar në rritjen e çmimit të banesave, një ndër to është edhe cilësia e tyre.

ishte para dhjetë vitesh me atë që ndërtohet tani. Sigurisht një vëmendje të shtuar ka pasur edhe si rezultat i rënies së tërmetit para dy viteve, kjo ka ndikuar si në cilësi, siguri etj, ka pasur goxha rritje. Kryesisht vitin e fundit shikojmë një rritje akoma më të madhe të çmimeve, ardhur kjo edhe si pasojë e rritjes së kostove. Normalisht janë rritur kostot e materialeve bazë të ndërtimit duke filluar që nga hekuri, çimento etj, por vlen për t’u theksuar edhe rritja e taksave. Vitet e fundit kemi një rritje goxha të madhe të taksave që ndërtuesit janë të detyruar të paguajë në bashki”, -thotë eksperti i pronave.

Sipas Demirxhiut, çmimi banesave është në trend rritës, kjo për shkak të disa faktorëve, ndërsa qytetarët zgjedhin gjithmonë e më shumë apartamentet në zonat periferike.

“Mendoj që edhe këtë vit çmimet në Tiranë do të kenë një trend rritës krahasuar me vitet e kaluar, kjo për shkak edhe të rritjes së kostove, por edhe të kërkesave të shumtë që ka në kryeqytetin shqiptar për blerje pronash”, -bëri të ditur Demirxhiu.

Zona lindore e qytetit, ku përfshihet njësia rajonale Shkozë, është ndër zonat më të lira për shitje të apartamenteve të banimit, së bashku me zonën perëndimore, e përfaqësuar nga ndërtesat në “Misto Mame”, “Pallatet Malajziane” dhe “Unazën e Re”.

Në mënyrë të përgjithshme, vërehet se banesat e modulit 2+1 shiten më lirë se ato të modulit 1+1 dhe e kundërta vërehet për qiradhënien, në këtë rast qiraja është më e shtrenjtë për modulin 2+1 dhe më e lirë për 1+1.

“Nuk kemi statistika të sakta për sa u përket çmimeve të shitjeve apo qirave në Rajon, por mendoj se shumë shpejt Tirana, edhe nëse nuk është mes këtyre vendeve për çmimet më të larta, do të bëhet një e tillë”, -theksoi eksperti i pronave.

Gjithashtu, vihet re shtrenjtim i çmimeve të shitblerjeve të apartamenteve në zonën e “Rrugës së Durrësit”, ndërsa ulje modeste ka shënuar çmimi i tregut të apartamenteve në zonën e “Nëntë Katësheve”, prej 500 lekë për metër katror. Pandemia rriti edhe më tepër kërkesën e individëve për të jetuar në zona me ajër të pastër dhe veçanërisht pranë zonës së Liqenit Artificial të Tiranës, e cila ka edhe çmimet më të larta në kryeqytet. Ndërsa, krahasuar me vendet e Rajonit, qendra e kryeqytetit mbetet ndër më të shtrenjtat, ndaj individët zgjedhin më tepër zonat periferike ose blerjen e një shtëpie në qytete apo fshatra të tjerë të vendit.

“Çmimet e qirave nga viti në vit po shikojnë një trend rritës kjo normalisht ndodh sepse kemi një kërkesë të shtuar për prona për apartamente me qira, kryesisht nga të huajt që kërkojnë pronat luksoze por edhe nga studentët apo familjet e reja që krijohen në Tiranë. Normalisht çmimet janë të papërballueshme për pagat që qytetarët marrin në Tiranë. Ndaj, gjatë studimeve, disa studentë marrin së bashku një shtëpi me qira, për të përballuar koston e lartë. Përsa i përket familjeve, ato marin një apartament në zonat periferike, duke qenë se çmimi është më konkurrues se në qendër apo zonat më të preferuara”, -theksoi Demirxhiu.

Përgatiti: Algerta Tafani
@burimi https://albanian.cri.cn